Reumatizma dhe çrregullimi reumatik është një term jo-specifik për problemet shëndetësore që prekin kyçet dhe indet lidhëse. Studimi i ndërhyrjeve terapeutike dhe i çrregullimeve të tilla quhet reumatologji.
Reumatizma dhe moti
Gjithnjë është thënë se ekziston një lidhje ndërmjet dhimbjeve reumatike dhe motit. Dhe nuk duket se ka prova që ta kundërshtojnë këtë fakt. Pas një pyetësori të bërë tek 600 njerëz në vitin 2013, është arritur përfundimi se “ndryshimet në presionin barometrik janë lidhja kryesore midis motit dhe dhimbjeve. Presioni i ulët përgjithësisht është i lidhur me të ftohtin, motin e lagësht dhe një rritje të dhimbjeve. Ndërsa moti i mirë dhe i thatë, është sinjal i presionit të lartë dhe uljes së dhimbjeve. Reumatizmi përdoret si term për përshkrimin e simptomave të dhimbjeve të kyçeve, muskujve dhe përreth indeve të buta (të njohura si indet lidhëse). Kjo fjalë nuk përdoret më nga doktorët por mund të dëgjohet në bisedat kryesisht të të moshuarve kur për shembull thonë “Po më dhembin kockat, do afrojë moti i keq”. Fjala ‘reumatizëm’ është përdorur qysh në fund të shekullit të 14 në Angli, e rrjedh nga fjala latine rheuma që do të thotë rrjedh si një lumë. Është quajtur kështu sepse i referohet simptomës së dhimbjeve të vazhdueshme që prek muskujt, tendinat, ligamentet dhe kyçet e trupit të njeriut. Por tani me avancimin e njohurive mjekësore, ne e dimë se reumatizma mbulon një gamë të gjerë të kushteve shëndetësore dhe simptomave – nga inflamacioni në një zonë të trupit (si dhimbja e gjurit apo e mesit) e deri te nyjet apo muskujt. Sot, doktorët që janë të specializuar në këtë fushë quhen reumatologjistë, të cilët ndodhen në departamentet spitalore në të gjithë botën.
Cilat janë simptomat e reumatizmës?
Shumica e njerëzve që vuajnë nga reumatizma nuk do t’i përshkruajnë simptomat e tyre si “rrjedhja e lumit” siç bënin njerëzit e shekullit të 14. Megjithatë, njerëzit me simptoma të rënda reumatizme i përshkruajnë ato si “dhimbje të forta e të vazhdueshme”. Njerëzit që vuajnë nga reumatizma kanë dhimbje të forta kyçesh, kockash e muskujsh. Dhimbja shkaktohet nga inflamacioni (nxehja e trupit) dhe ndodh në shkallë të ndryshme. Ajo mund të shoqërohet me ngurtësim apo kufizim të lëvizjes së pjesëve të trupit që kanë dhimbje. Dhimbjet e kyçeve të këmbës apo të gjurit mund të shoqërohen edhe me dhimbje të shtyllës kurrizore e më pas qafës.
Cilat çrregullime shkaktojnë simptomat e reumatizmës?
Mbi 100 çrregullime njihen sot si shkaktarë të rritjes së simptomave të reumatizmës dhe pa dyshim që me kalimin e kohës do të gjehen edhe shkaktarë të tjerë. Në përgjithësi, inflamacioni është shkaku kryesor i çrregullimeve reumatike. Por besohet se reumatizma shkaktohet edhe nga një kombinim i faktorëve gjenetikë dhe mjedisorë. Sipas studimeve të kryera edhe stresi është një faktor që ndikon në zhvillimin e simptomave. Rreth 46 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara vuajnë nga reumatizma, dhe është një sëmundje që prek më shumë femrat se sa meshkujt.
Trajtimi i simptomave reumatizmale
Nëse vuani nga reumatizma, do t’ju duhet të ndryshoni diçka në dietën dhe në stilin tuaj të jetës për të ndihmuar në reduktimin e simptomave. Ekzistojnë edhe pilula apo lloje xhelrash nëpër farmaci, por gjithmonë është mirë të konsultohemi me mjekun. Ilaçet që ndalojnë dhimbjet reumatike duhet të përdoren me kujdes dhe është e rëndësishme të shmangim varësinë ndaj tyre. Ekzistojnë edhe shumë mjete të tjera natyrale që mund të ndihmojnë me shuarjen e dhimbjeve të muskujve dhe kockave. Shumë njerëz të cilët kanë vuajtur nga reumatizma kanë arritur në përfundimin e ulja e nivelit të stresit dhe e shqetësimit, ndihmon në reduktimin e shfaqjes së simptomave reumatike.
Trajtimi i artriteve me mjete lokale bimore
Disa mjete lokale bimore (që vendosen në lëkurë) përdoren zakonisht edhe për trajtimin e artriteve. Disa prej tyre përmbajnë përbërës për nxehjen e lëkurës, ndërsa disa të tjerë kanë më shumë efekt në lehtësimin e dhimbjeve ose anestezinë.
Kapsaicina
Kapsaicina, një përbërës djegës i specave të kuq është i vlefshëm në formë kremi që mund të blihet në të tëra farmacitë anembanë vendit. Kremrat njihen si reduktues efektivë të dhimbjeve për osteoartritet dhe artritet reumatizmale. Investigimet e fundit tregojnë se kapsaicina vepron në mënyrë selektive në nervat e përfshira në dhimbje të inflamuara.
Aplikimi i parë i kapsaicinës mund që edhe të shkaktojë dhimbje, skuqje lokale dhe ënjtje, por më pas nervat bëhen të pandjeshëm nga stimulimi i mëtejshëm (përfshirë edhe vetë kapsaicinën). Aplikimi i përsëritur i kapsaicinës duket se i bën nervat më pak të ndjeshme duke lehtësuar dhimbjet.
Hithra
Ekstraktet nga gjethet e hithrave janë ndonjëherë të përdorshme për të lehtësuar dhimbjen nga artritet. Nuk dihet ende sesi veprojnë gjethet e hithrës, por ato besohet se përmbajnë substancë që mund të ndikojë në perceptimin e dhimbjes dhe transmetimin në nervat fundor. Të dhënat e fundit tregojnë se përbërësit aktiv të hithrës mund të parandalojnë inflamacionin në sëmundjet autoimmune si artritet reumatizmale.
Fizioterapia
Fizioterapia përdor një gamë të gjerë teknikash për trajtimin e dhimbjes, dëmtimeve dhe mobilitetit të pakët që përjetojnë njerëzit me artrit. Këto mund të përfshijnë termoterapinë (aplikimin e ngrohtësisë dhe të së ftohtës), masazhin, mobilizimin e nyjeve dhe përmirësimin e qëndrimit dhe zhvillimin e programeve të ushtrimeve.
Balneoterapia (banjat minerale ose terapia spa)
Balneoterapia (banjat minerale ose terapia spa) përdoret në artritet reumatizmale dhe osteoartritet. Një rishikim i provave klinike në balneoterapi për artritet reumatizmale konkludoi që edhe pse mjaft nga përfundimet ishin pozitive, të dhënat shkencore ishin të pakta dhe provat e ardhshme duhet që të evitojnë të metat e studimeve të mëparshme. Një rishikim i provave të balneoterapisë për osteoartritet konkludoi se nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të vërtetuar se banjat minerale përmirësojnë funksionin fizik ose cilësinë e jetës. Siguria e balneoterapisë ende nuk është studiuar mirë.
Akupunktura
Akupunktura duket se është një mënyrë e sigurt dhe efektive dhe disa herë alternative përkundër terapive konvencionale për probleme të caktuara shëndetësore. Ajo përfshin futjen e gjilpërave të holla nën lëkurë në pika të caktuara, duke ndryshuar ndjenjën e dhimbjes. Këto pika akupunkture lidhen me kanale të caktuara energjie të trupit që quhen meridiane. Duke stimuluar pikat e akupunkturës me një gjilpërë, besohet se bllokimet në rrjedhën e energjisë nëpër meridiane mund të shërojnë. Mjekësia perëndimore sugjeron se mekanizmi i veprimit të akuptunkturës mund të përfshijë stimulimin dhe krijimin e kimikateve si opioidet (shërues natyror të dhimbjeve) në sistemin nervor si dhe duke interferuar me transmetimin e mesazheve të dhimbjes nëpër nerva.
Akupunktura mund të lehtësojë dhimbjet në periudhën afatshkurtër për disa njerëz me artrite duke këputur “ciklin e dhimbjes”, por si shumë trajtime komplementare rezultati është shumë variabël. Njerëzit ndryshojnë në mënyra të ndryshme dhe çfarë mund të veprojë te një person nuk vepron në mënyrë të domosdoshme tek një tjetër. Për më shumë, nëse duket se lehtëson dhimbjen te disa njerëz me artrit, lehtësimi është shpesh i përkohshëm dhe trajtimi mund të jetë i shtrenjtë dhe konsumon kohë. Studimet shkencore të fundit nuk kanë treguar në mënyrë përfundimtare që akupunktura përmirëson dhimbjet dhe funksionin e njerëzve me osteoartrite në gju.
Efikasiteti i akupunkturës në lehtësimin e dhimbjeve të artriteve është kontraversal, kryesisht në termat e efektivitetit të tij në menaxhimin e dhimbjeve kronike (që zgjasin shumë). Duket se është më shumë efektiv në fibromialgitë dhe dhimbjet e lehta të lëkurës sesa në artritet reumatizmale dhe kondicionet e tjera inflamatore sistemike.
Nëse nuk jeni të kënaqur me trajtimin konvencional, ju mund të pyesni mjekun nëse mendon që akupunktura mund të ndihmojë.
Artriti dhe të ushqyerit
Kërkuesit, për shumë dekada, kanë eksploruar lidhjet potenciale midis dietës dhe artritit, por përveç efektit të dietës së pasur me purina në rastin e cermës, ende ka mosmarrëveshje në lidhje me rezultatet e shumë prej studimeve për ushqimet. Ka pak të dhëna shkencore që tregojnë se marrja e suplementeve të shtrenjtë ushqimorë ose përdorimi i dietave sjell përfitime. Më mirë është të marrësh ushqime me dietë të balancuar që sjellin të njëjtat rezultate por që mbajnë peshën nën kontroll dhe që përmbajnë të tëra vitaminat dhe mineralet që keni nevojë.
Për këtë arsye ju duhet që të përpiqeni të hani me një dietë që:
-Përmban shumë drithëra, perime dhe fruta;
-Ka pak yndyrë;
-Përmban sasi të moderuara sheqeri, kripe dhe alkooli.
Faktori peshë
Pesha juaj është lidhja më e rëndësishme midis dietës dhe artritit, sepse të qenit mbipeshë i vendos në kushte të vështira ijet, gjunjët, nyjet e këmbëve dhe këmbët. Nëse nuk keni mundësi të kryeni ushtrime për shkak të artritit, duhet të reduktoni marrjen e kalorive. Kjo parandalon që energjia e tepërt që vjen nga ushqimi që hani të magazinohet në trupin tuaj si yndyrë. Megjithatë, ju duhet të vazhdoni të hani ushqime që kanë shumë vitamina dhe minerale siç janë frutat dhe perimet dhe miell të pasitur, ushqime me niseshte dhe të reduktoni yndyrat dhe sheqernat.
Pesha e tepërt trupore është një problem për shumë njerëz me artrite, kryesisht tek ata që i kanë kushtet për një stil jetese më sedentare për shkak të kushteve të sëmundjes. Njerëzit me artrite reumatizmale që marrin kortikosteroide mund të kenë rritje në peshë për shkak të efekteve anësore të trajtimit me steroide.
Nganjëherë njerëzit me artrite reumatizmale kanë një një gjendje të dobët të të ushqyerit si rezulat i humbjes së peshës. Mund të jetë e vështirë për njerëzit me artrit të rritin marrjen e ushqimeve nëse ata përjetojnë dhimbje kur përpiqen që të marrin ilaçe të tjera që shkaktojnë gastrite dhe ulcera peptike.
Vitaminat dhe mineralet
Njerëzit me artrite reumatizmale mund të përjetojnë përvoja të defiçencave në vitamina dhe minerale si më poshtë: acid folik, vitaminë C, vitaminë D, vitaminë B6, vitaminë B12, vitaminë E, Kalcium, magnezium, zink dhe selen (ium). Marrja e suplementeve të vitaminave mund të ndihmojë në reduktimin e mangësive, por rritja e marrjes së tyre nuk ka treguar ndonjë ulje konkluzive të progresit të artriteve ose përmirësim të simptomave. Por, acidi folik që gjendet në gjethet e perimeve të gjelbëra dhe drithërat e pasitura, është i rëndësishëm për njerëzit me artrite reumatizmale që kanë përdorur metotreksat me recetë, sepse kjo redukton disa efekte anësore gastrointenstinale të ilaçit.
Ju duhet të siguroheni se marrja e sasisë së mjaftueshme të kalciumit (që gjendet në bulmetra dhe në perime si brokoli, lakra e Brukselit dhe lakra) dhe vitamina D (nga farat e lulediellit dhe produktet blegtorale të përpunuara) rekomandohet për të luftuar efektet e terapive afatgjata me ilaçe steroide si prednisolon, që kontribuon në osteoporozë.
Sugjerohet se rritja e marrjes së antioksidantëve si selen (ium) dhe vitamina E mund të ulin dëmtimin e radikaleve të lira të nyjeve, por kjo nuk është provuar klinikisht.
Shumë njerëz me artrit janë anemikë, por kjo nuk përmirësohet me marrjen e hekurit. Anemia mund të jetë për shkak të humbjes së gjaku-t që shoqërohet me ulcerë nëse jeni duke marrë ilaçe josteroidale anti-inflamatore (IJSAI). Mjeku juaj duhet që të këshillojë nëse keni nevojë për më shumë hekur.
Suplementet ushqimore
Vitet e fundit, kërkuesit e kanë rritur interesin në lidhje me përfitimet që vijnë nga acidet yndyrore Omega-3 që gjendet në vajin e peshkut. Këto acide yndyrore esenciale (EFA) duket se kanë një efekt në procesin inflamator.
Disa studime kanë treguar se marrja e acideve yndyrore Omega-3 si suplemente mund të lehtësojë dhimbjen dhe ënjtjen tek njerëzit me artrite reumatizmale, megjithatë, dozat e përdorura në këto studime mund të kenë qenë më të larta se ato të njerëzve që i kanë blerë suplementet vetë. Përfitimet nga vaji i peshkut janë modeste dhe duan muaj që të jenë të dukshme.
Përveç se mundet që të ndihmojnë në artritet reumatizmale, acidet yndyrore Omega-3 ndihmojnë në reduktimin e trombozave dhe mbrojnë kundër sëmundjeve të zemrës. Është e rëndësishme që të mos ketë konfuzion midis vajit të peshkut dhe vajit të mëlçisë së peshkut (si vaji i mëlçisë së merlucit). Vaji i mëlçisë së peshqve përmban shumë vitaminë A, që mund të jetë e rrezikshme në sasi të mëdha dhe nuk duhet marrë nga gratë shtatzëna sepse mund të dëmtojë beben.
Glukozamina ka filluar të bëhet popullore ne trajtimin e osteoartriteve. Ka të dhëna se ajo mund të kontrollojë dhimbjen dhe mund të ngadalësojë shkatërrimin e kartilages. Megjithatë, një analizë e Cochran për provat klinike për ekzaminimin e dobisë së glukozaminës sugjeron që efektet e saj në dhimbje mund të jenë më të pakëta sesa mendohej. Duhen më shumë prova për të treguar arritjen e efektit të mundshëm të ngadalësimit të shkatërrimit. Kondroitina është një tjetër trajtim i përdorur më shpesh së fundmi, por ka pak të dhëna shkencore që mbështesin përfitimin sinjifikant në trajtimin për osteoartritet.
Dietat eliminuese
Dietat eliminuese janë një rrugë për t’u përpjekur për të identifikuar ushqimet që shkaktojnë hipersensitivitet tek njerëzit. Në një dietë eliminuese, ju mund të ndaloni ngrënien e ushqimeve që mund të shkaktojnë simptoma artriti dhe të përdorni ushqimet më të përshtatshme. Dieta eliminuese duhet të ndiqet nën drejtimin e mjekut për të garantuar se ju ende vazhdoni të merrni lëndët ushqyese të nevojshme. Dobia e dietës eliminuese në artrite është ndoshta një çështje në pikëpyetje, sepse vetëm një përqindje shumë e vogël e njerëzve vuajnë nga alergjitë ushqimore.
Të dhënat për ushqimet që shkaktojnë artrite ose i përkeqësojnë ato janë shumë kontraversiale dhe lista e ushqimeve që janë të implikuara si shkaktarë të artriteve është shumë substanciale, përfshirë qumështin dhe nënproduktet e tij, ngjyruesit ushqimorë, aditivët dhe preservativët, çokollatën, mishin e kuq, kripën, sheqerin, kafenë dhe perimet helmarine (patatja, domatja dhe patëllxhani).
Disa studime kanë hedhur dritë mbi lidhjet midis inflamacionit të zorrëve dhe inflamacionit të nyjeve. Kërkuesit kanë parë lektinat, substanca ushqimore që gjenden në drithërat si gruri, thekra, elbi, tërshëra dhe misri ose tek leguminozet si bizelet dhe bathët, që sugjerohet se mund të nxisin zhvillimin e artriteve reumatizmale tek njerëzit që janë gjenetikisht të predispozuar. Lektinat thuhet se shkaktojnë vrima në muret e traktit digjestiv. Kërkuesit propozojnë që materiali që del jashtë zorrëve mund të shkojë në trup, duke shkaktuar një reaksion imun që të çon në inflamacionin e nyjeve.
Është shumë e vështirë të përcaktohet në mënyrë të përshtatshme nëse një tip ushqimi ndikon apo jo në artrit. Fuqia e sugjerimit mund të jetë shumë e fortë dhe disa ushqime që përdoren në gatim mund të konsumohen pa dijeninë tuaj. Çështja komplikohet edhe më shumë nëse artriti nuk është konstant — ai merr vrull në formën e një ataku dhe më tej mund të qetësohet.
Çdo individ është ndryshe dhe nuk ka asnjë ushqim që raportohet se shkakton simptoma tek të gjithë. Ka shumë libra që rekomandojnë të tëra llojet e dietave përjashtuese dhe që pretendojnë rezultate të mrekullueshme, por ato janë kontraversale dhe mund të privojnë trupin tuaj nga ushqime të domosdoshme.
Në mungesë të të dhënave konkrete, gjëja më e mirë është evitimi i praktikave ushqimore të paprovuara. Nëse ju keni shqetësime në lidhje me përshtatshmërinë e dietës tuaj, flisni me mjekun
No comments:
Post a Comment