Mjekesia popullore - Ne kete faqe do te gjeni keshilla dhe menyra mjekimi te semundjeve te ndryshme me bime mjekesore, te cilat rezultojne shume te efektshme. Do te pershkruhen bime te cilat perdoren per semundje te vecanta dhe principet aktive qe ato zoterojne te bazuara shkencerisht.

Tuesday, January 12, 2016

Sëmundjet e dimrit, këshillat si të mbrohemi


Temperaturat polare, rreziku që sjellin për shëndetin
Përkeqësimi i kushteve të motit, kthimi i të ftohtit, shirave dhe dëborës janë një kërcënim edhe për shëndetin tonë, sidomos për të moshuarit, fëmijët dhe njerëzit me sëmundje kronike. Por mjekët paralajmërojnë se edhe të rinjtë mund të vuajnë pasoja shëndetësore, ndonjëherë të rënda kur ekspozohen ndaj temperaturave të ulëta. Kështu, një valë e të ftohtit mund të shkaktojë sëmundje akute si ngrirja, hipotermi etj. Për më tepër, sidomos kur temperaturat bien poshtë -5C, ato mund të shkaktojnë përkeqësim të sëmundjeve kronike, sidomos sëmundjeve të zemrës dhe bronkeve. Studimet e fundit tregojnë gjithashtu se temperaturat e ulëta kanë rritur rrezikun e aksidenteve në familje, duke përfshirë edhe vdekjen, shkaktuar nga keqngrohja, helmimi me monoksid karboni nga sistemet elektrike, apo ato me gaz etj.
Këshillat
Për të parandaluar rreziqet ndaj shëndetit të shkaktuara nga temperaturat e ulëta mjekët japin disa këshilla, që mund t’i vijnë në ndihmë secilit prej nesh. Disa prej këshillave më kryesore janë si më poshtë. Përshtateni temperaturën e brendshme në shtëpi në vlerat e duhura. Parandaloni tharjen e ajrit duke vendosur një enë me ujë mbi radiatorë, ose pranë tyre. Evitoni humbjen e nxehtësisë duke mbajtur të mbyllur dhe izoluar dhomat që nuk përdorni, izoloni mirë dyert dhe dritaret (moti i ftohtë nxit gjithashtu helmimet nga dioksidi i karbonit, apo aksidentet elektrike). Kontrolloni mirë gjendjen e mjeteve të ngrohjes me energji elektrike apo me gaz (në rastin e përdorimit duhet të sigurohet mirëmbajtja dhe funksionimin i duhur i pajisjeve të ngrohjes. Nëse në shtëpi keni oxhak sigurohuni që pastrimi i tij të kryhet si duhet dhe vazhdimisht. Nëse temperaturat jashtë janë shumë të ulëta, shmangni orët më të ftohta, ato të mëngjesit ose të mbrëmjes. Fëmijët, të moshuarit, apo ata që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes duhet të evitojnë ekspozimin ndaj temperaturave shumë të ulëta dhe të vishen mirë para se të përballen me temperaturat jashtë.
Ushqimi
Një kujdes të veçantë duhet të keni përsa i përket ushqimit. Merrni ushqim dhe pije të ngrohta. Konsumimi i sasive të mjaftueshme të lëngjeve dhe ushqimeve ndihmon për të plotësuar kërkesat në rritje të metabolizmit, me qëllim që të prodhojë më shumë për ngrohjen e brendshme. Është e rëndësishme ushqimi të jetë i balancuar. Pini të paktën 2 litra ujë gjatë ditës. Preferohen lëngje të ngrohta, si çaji apo vetëm lëng portokalli. Kujdesuni që vaktet tuaja të jenë të pasura me fruta dhe perime që përmbajnë vitamina dhe minerale, shumë të dobishme për të mbrojtur organizmin nga “kurthet” e të ftohtit. Në përgjithësi rekomandohen produkte ushqimore të pasura në betakaroten që ndihmojnë në mbrojtjen e sistemit imunitar. Të tilla janë: karota, kungulli, patatja, domatja, spinaqi, panxhari i kuq, brokoli, lulelakra, speci, si dhe ato produkte që përmbajnë vitaminë E, si: bajamja, lajthia, vaji i ullirit.
Rekomandimet për ata që marrin ilaçe
Edhe pse ende nuk ka shifra të sakta dihet se disa lloje barnash mund të jenë përgjegjës për fillimin ose përkeqësim e sëmundjeve që lidhen me të ftohtët, që ndërveprojnë me mekanizmat e përshtatjes së trupit në të ftohtë. Në shumicën e rasteve, një bar mjekësor nuk përbën rrezik, veçanërisht nëse përdoret mirë, por ai mund të bëhet problem për shëndetin. Disa lloje ilaçesh në fakt nga ndikimet e të ftohtit mund të përkeqësojnë funksionimin normal të mekanizmave që rregullojnë temperaturën e trupit. Ndaj duhet të konsultoheni patjetër me mjekun tuaj.
 Këshillat e mjekëve
1. Përshtateni temperaturën e brendshme në shtëpi në vlerat e duhura
2. Parandaloni tharjen e ajrit duke vendosur një enë me ujë mbi radiatorë, ose pranë tyre
3. Evitoni humbjen e nxehtësisë duke mbajtur të mbyllur dhe izoluar dhomat që nuk përdorni, izoloni mirë dyert dhe dritaret (moti i ftohtë nxit gjithashtu helmimet nga dioksidi i karbonit, apo aksidentet elektrike)
4. Kontrolloni mirë gjendjen e mjeteve të ngrohjes me energji elektrike apo me gaz (në rastin e përdorimit duhet të sigurohet mirëmbajtja dhe funksionimin i duhur i pajisjeve të ngrohjes
5. Nëse në shtëpi keni oxhak sigurohuni që pastrimi i tij të kryhet si duhet dhe vazhdimisht
6. Nëse temperaturat jashtë janë shumë të ulëta, shmangni orët më të ftohta, ato të mëngjesit ose të mbrëmjes
7. Fëmijët, të moshuarit, apo ata që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes duhet të evitojnë ekspozimin ndaj temperaturave shumë të ulëta dhe të vishen mirë para se të përballen me temperaturat jashtë
Produktet bimore që forcojnë imunitetin e organizmit
Konsumimi i sa më shumë produkteve që rrisin imunitetin e organizmit është këshilla kryesore, që japin specialistët e mjekësisë bimore për të parandaluar shfaqjen e sëmundjeve virale. Duke qenë se tashmë secili prej nesh është i rrezikuar nga virozat gripale më tepër se kurrë, parandalimi i vetëm i tyre përveç vaksinimit, mund të bëhet vetëm nëpërmjet marrjes së produkteve bimore që rrisin imunitetin, pasi në një organizëm të shëndoshë rreziku për t’u prekur nga viruset është shumë i vogël. Ilaçet bimore që përbëhen nga bimë të ndryshme të tretura në alkool janë preparatet më efikase për të rritur imunitetin dhe për të parandaluar prekjen nga sëmundjet. Hekuri, hudhra, kanella, bima e quajtur kthetrat e maces (ungaria), kulumbria, ilaçi bimor i quajtur propolis, aloe vera janë disa nga produktet që ndikojnë në rritjen e imunitetit të organizmit. Përdorimi i përditshëm i mjaltës me pluhur kanelle forcon sistemin imunitar dhe e mbron organizmin nga bakteret dhe sulmet virale. Shkencëtarët kanë zbuluar se mjalti përmban vitamina të ndryshme dhe hekur në sasi të mëdha. Përdorimi i vazhdueshëm i mjaltit i forcon rruazat e gjakut për t’i luftuar bakteret dhe sëmundjet virale. Hudhra është antibiotik natyral që stimulon sistemin e imunitetit dhe rrit efektivitetin e rruazave të bardha të gjakut dhe rruazave T. Ajo bllokon prodhimet e toksinës me mikrobe. Hudhra pa dyshim është çelës për të arritur imunitetin optimal dhe mbrojtjen kundër infektimeve. Aloe vera është një tjetër produkt tepër efikas për të rritur imunitetin e organizmit. Ajo përmban më shumë se 200 përbërës të verifikuar shkencërisht që aktivizojnë dhe forcojnë aftësinë tonë për vetëshërim dhe e ka treguar veten si një ndër bimët më të mira mjekësore. Kërkimet shkencore provojnë se efekti kryesor i aloe veras, domethënë aktivizimi i sistemit tonë të imunitetit, bazohet në përbërësin aktiv akemanan (një kompleks karbohidratesh), i cili thithet nga zorrët dhe grumbullohet në membranat e qelizave. Ky përbërës rrit rezistencën e çdo qelize të veçantë kundër viruseve të dëmshme dhe baktereve. Acidet yndyrore omega 3-6-9 që gjenden tek vaji i peshkut janë shumë të rëndësishme për trupin e njeriut, por ato nuk mundet të sintetizohen nga organizmi ndaj dhe quhen acide yndyrore thelbësore. Çdo qelizë e trupit përdor acidet yndyrore.

Ushqimet dimërore, a duhet të përdoren yndyrat gjatë stinës së ftohtë?
Me ardhjen e dimrit organizmi ka nevojë të adoptohet me temperaturat e ulëta. Ka shumë mënyra për ta bërë, duke filluar nga veshja gjithnjë e më e rëndë. Por për t’i bërë ballë trishtimit të ditëve dimërore gri është mirë të mësohemi të përkëdhelemi pak edhe nëpërmjet ushqimit. Në fakt organizmi në stinën e dimrit kërkon më tepër kalori. Por megjithatë nuk duhet ekzagjeruar: më mirë një supë ose një çaj. Rrugë të lirë supave, lëngjeve ose djathërave, karburante të nevojshme për organizmin dhe mburoja të shkëlqyera kundër të ftohtit. Praktikisht çfarë ndryshohet në ushqimet dimërore? Dhe cilat ushqime duhen privilegjuar kur termometri afrohet me zeron?
Ushqimet e dobishme
Dieta dimërore i përgjigjet pikë së pari ligjeve të natyrës, që përfshijnë frutat dhe perimet e stinës. Pra përveç frutave dhe perimeve dimërore edhe: makarona, bukë dhe oriz; peshk; bishtajore; djathë e vezë. E përse jo, meqë ekzistojnë efektet pozitive të kakaos në zemër, qarkullim, përqendrim e humor, shpeshherë të pish një filxhan çokollatë të ngrohtë. Nuk është e vërtetë që të pish pije alkoolike të ndihmon të luftosh të ftohtin. Kundër temperaturave të ulëta, është mirë të pish: çaj të ngrohtë, verë brulë, një filxhan çokollatë. Nuk mund të mungojnë edhe barërat dhe lulet speciale. Kur temperaturat bie nën zero, më mirë se konjaku, rumi, vodka duhet të përdoret vera brulë. Për ta përgatitur mjafton të ziesh verë të kuqe dhe të shtosh rrënjë karafili dhe pak kanellë. Hidhni sheqer (gjysmë luge në një gotë) dhe shtoni lëkurën e portokallit ose limonit. Shërbejeni të ngrohtë.
Yndyrat ushqimore
Më poshtë ju do të njiheni me vlerat e yndyrave ushqimore në dietat tona. Kur janë të dobishme e kur janë të dëmshme. Yndyrat ushqimore në përgjithësi luajnë një rol të rëndësishëm në organizmin e njeriut. Ato janë pjesë e rëndësishme dhe e domosdoshme e racionit ditor ushqimor: Kanë vlerë të lartë energjetike (kalorike). Një gram yndyrë jep mesatarisht 9 kalori, domethënë sa dyfishi i sheqernave dhe i proteinave; Yndyrat bëjnë pjesë në ndërtimin e indeve të organizmit të njeriut; Yndyrat janë tretëse dhe bartëse të vitaminave A, D, E, K, shumë të rëndësishme për organizmin e njeriut; Yndyrat, por jo të gjitha, përmbajnë në përbërjen e tyre disa acide yndyrore të pangopur, si linoleik, linolenik, arahidonik, që luajnë rolin e vitaminës F në organizëm, me vlerë të lartë biologjike; Yndyrat ushqimore kanë dhe veti lubrifikuese, sepse duke u sekretuar nga gjëndrat e lëkurës, i japin kësaj elasticitetin dhe e ruajnë nga tharja. Pra në pamjen estetike te fytyrës e pjesëve te tjera të trupit.
Energjia në një gotë
Me vitamina dhe kripëra minerale lëngjet e frutave japin karikim nëse ndjeheni të rënë moralisht. Ja dy lloje: me dhe pa qumësht.
-Me qumësht
-1 mollë, 1 dardhë, 1 banane
-dy lugë sheqer
-qumësht sa duhet
-Pa qumësht
-1 mollë, 1 kivi
-2 lugë sheqer
-lëng portokalli dhe pak limon
Lista e ushqimeve dimërore
Kungulli
Është i pasur me vitaminë A, e nevojshme për të luftuar radikalet e lira. Përmban gjithashtu kalium, kalcium, fosfor dhe fibra.
Peshku
Është aleat i shkëlqyer kundër sëmundjeve të zemrës e të qarkullimit. Merita është e yndyrave Omega-3 që gjenden në të gjithë llojet e peshqve. Peshqit e yndyrshëm si toni, salmoni etj, janë të pasur me vitaminë D.
Agrumet
Portokajtë, mandarinat, limonët dhe grejpfrutat kanë shumë vitaminë C. Forcojnë mbrojtjet natyrale dhe janë ilaç i vlefshëm kundër gripit. Prania e acidit citrik lehtëson tretjen.
Mishi
Nëse përdoret shpesh mishi i pulës, i gjelit të detit ose mishi i përgjithshëm i kuq, tani është e mundur të shtohet në dietë edhe mishi i derrit, që është pak më i dhjamosur. Mishi është i pasur me proteina, hekur, zink e vitamina B12 të nevojshme për të gjithë, e jo vetëm për anemikët. Mishi u jep energji muskujve dhe lufton lodhjen.
Lakra
Të gjitha llojet e lakrave janë të pasura me kalcium dhe parandalojnë sëmundjet e stomakut e të zorrëve. Përmbajnë vitamina A,E C dhe fitoestrogjene, substanca që mbrojnë nga tumoret.
Çokollata
Është antidepresiv i shkëlqyer. Prania e kafeinës dhe teobromirës ka efekte pozitive në përqendrimin e studentëve dhe në tonifikimin e muskujve.
Perimet
Qiqrat, fasulet, thjerrëzat dhe bizelet nëse hahen me makarona, bukë ose oriz, janë shumë të mira, veçanërisht nëse ndjehesh i këputur. Arrijnë të furnizojnë deri 40 % më shumë proteina në krahasim me një vakt me ushqime të tjera. Perimet janë të pasura me karbohidrate, vitamina B dhe minerale si kalcium, hekur dhe fosfor, të nevojshme për shëndetin e organizmit.
Frutat e thata
Kanë fuqi të lartë kalorike dhe janë efikase për ato që bëjnë punë të rënda në vende të ftohta. Lajthi, kikirikë, bajame, arra janë të pasura me kalcium, fosfor, hekur, bakër, magnez e zink, të nevojshme për të luftuar dobësinë dhe për të përmirësuar mbrojtjet natyrale. Është e pranishme dhe vitamina E. Ngaqë përmbajnë shumë kalori (për shembull 625 kalori 100 g lajthi) frutat e thata nuk këshillohen për ata që duan të dobësohen.
Djathi
I freskët, pikant ose me kripë, ka një vlerë ushqyese të lartë. Është i pasur me proteina dhe kalori. Përmban kalcium, mineral i nevojshëm për formimin e kockave të fëmijëve dhe për formimin e dhëmbëve, është i nevojshëm edhe për gratë në menopauzë dhe për të moshuarit. Në dimër djathi i pasur me yndyra e mban konstant temperaturën trupore edhe kur është shumë ftohtë. Është i nevojshëm në të gjitha stinët për të ruajtur impulset nervore.
Mjalti
Mjalti është qetësues, përdoret kundër dhimbjes së fytit dhe kollës, është dezintoksikues sepse favorizon funksionimin e mirë të mëlçisë dhe zorrëve; përmban vitamina C, B dhe kripëra minerale si fosfor, kalcium, hekur.
Makaronat, buka dhe orizi
Të pasura me sheqerna, makaronat japin shumë energji. Së bashku me bukën dhe orizin, janë në gjendje të riekuilibrojnë nivelet e serotoninës, hormoni përgjegjës për humorin. Ato luftojnë gjithashtu kapsllëkun.
 Çajrat kundër të ftohtit
Çajrat kanë efekt mekanik, sepse kur janë të nxehtë të ngrohin. Doza: nga 1 në 3 filxhanë çaj në ditë.
Trëndafil i egër
Çaji (gjendet në bustina dhe ka vitaminë C) për të rritur mbrojtjet natyrale të organizmit dhe rezistencën ndaj sëmundjeve të ftohjes falë përmbajtjes së lartë të vitaminës C.
Lule bliri
Çaj shumë i dobishëm për të parandaluar ftohjen dhe temperaturën. Favorizon djersën.
Lule shtogu
Çaj që ka të njëjtën vlerë me blirin. Mund edhe të përzihet me lulet e blirit dhe të përgatitet çaji.
Lule pishe
Çaj për parandalimin e infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes.
Rrënjë jamballi
Është efikas për aparatin tretës dhe të frymëmarrjes.
Sëmundjet e mushkërive, problemet që shfaqen në dimër dhe parandalimi
Sëmundjet kronike të mushkërive dhe të rrugëve të frymëmarrjes hasen më tepër në stinën e dimrit, ku edhe temperaturat janë të ulëta. Për këtë arsye, gjendja shëndetësore e personave që vuajnë nga sëmundje kronike të mushkërive në dimër mund të përkeqësohet. Sipas mjekëve, personat që vuajnë nga sëmundje kronike të mushkërive, nëse nuk tregohen të kujdesshëm, nuk mund të kalojnë një dimër pa probleme. Arsyet? Ndjeshmëria e lartë e organizmit të tyre ndaj luhatjeve të temperaturave të mjedisit dhe niveli i lartë i ndotjes së tij. Pakujdesi të vogla në dukje mund të çojnë në rëndim të gjendjes së pacientit. Sëmundjet e mushkërive (bronkitet, sëmundja e ngushtimit të bronkeve etj) janë karakteristikë për moshat e mëdha dhe për shkak të uljes së rezistencës së organizmit të tyre në përgjithësi, këto mosha janë të ndjeshme ndaj luhatjeve të temperaturave të mjedisit dhe nivelit të lartë të ndotjes së tij. Temperaturat e ulëta, ndryshimet atmosferike, ndotja e mjedisit janë faktorë risku për keqësimin e sëmundjes, duke përfshirë këtu dhe pirjen e duhanit, praninë e sëmundjeve të zemrës dhe hipertensionit, diabetit, etj.
Simptomat
Me keqësimin e gjendjes kolla shpeshtohet, bëhet më e fortë dhe shoqërohet me shtim të sasisë së gëlbazës, e cila trashet dhe nxirret me vështirësi. Marrja e frymës rëndohet, frymëmarrja bëhet e sipërfaqshme dhe shpeshtohet, duke u shoqëruar me interesim të muskujve të kraharorit. Kjo është arsyeja që shpesh pacientët ankohen edhe për dhimbje gjoksi e shpatullash. Të sëmurët janë në ankth, kanë ndjenjën sikur po mbyten. Në fytyrë sidomos në buzë, shfaqet mavijosja që vjen si pasojë e anomalisë së shkëmbimit të gazrave, me pakësim të oksigjenit në gjak dhe shtim të gazit karbonik. Si pasojë e ajrimit të ulur, të sëmurët janë të lodhur, të përgjumur, ankohen për dhimbje koke, por herë-herë janë të shqetësuar dhe shfaqin turbullime të vetëdijes. Komplikacionet janë të ndryshme, që nga bronkopneumonia, prekje të zemrës, apo enëve të gjakut, etj. Bronkopneumonitë ndodhin si pasojë e humbjes së elasticitetit të muskujve të bronkeve për shkak të vetë moshës dhe mbylljes së bronkeve si pasojë e grumbullimit të gëlbazës në to, duke favorizuar infeksionin. Po ashtu nga shkëmbimi i keq i gazeve preket edhe sistemi i qarkullimit të gjakut, duke shtuar ngarkesën e ventrikulit të djathtë dhe duke dëmtuar muret e vazave. Këta të sëmurë duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë nga mjeku i familjes, ose nga mjeku pneumolog, ku ata kontrollohen periodikisht, sepse sa më shpejt të ndërhyhet, aq më shpejt do të dalin nga gjendja e rënduar. Kur pengesa e frymëmarrjes shpeshtohet, kolla bëhet më e fortë dhe sasia e gëlbazës është e shtuar, duhet filluar trajtimi me antibiotikë për 5-7 ditë, që do të ndihmojë për të luftuar infeksionin. Duhet rritur dhe shpeshtuar doza e preparateve bronkodilatator, që ndihmojnë në zgjerimin e bronkeve dhe lehtësojnë frymëmarrjen, qoftë këto të marra nga goja ose me spray (pompa). Po ashtu Aerosoli për pak ditë ose dhënia e oksigjenit herë pas here, do ta lehtësonte gjendjen.
Dëmtimi
Nuk ka një arsye të caktuar se përse shfaqet sëmundja e mushkërive, por ajo që rekomandohet për të gjithë njerëzit është “bashkëjetesa” në një ambient në pastër, pa duhanpirës, si dhe pa asnjë komponent tjetër të dëmshëm për mushkëritë. Nga ana tjetër, sipas specialistëve, fëmijët janë tepër të prirur për t’u sëmurë nga sëmundjet e mushkërive në rast se ata kanë lindur nga një nënë duhanpirëse. Pasi që në krijimin e mushkërive si organ, foshnja “helmohet” me nikotinën e duhanit, dhe më pas është e vështirë që organizmi i tij të filtrojë. Përveç duhanit, ndotja e ambientit, është një ndër faktorët kryesorë që ndikon në përhapjen e sëmundjes së mushkërive. Madje në pjesën më të madhe të rasteve, ndotja e ambientit, jo vetëm në qytete por edhe në dhomën ku personi jeton, është faza fillestare e shfaqjes së sëmundjes, zhvillimit dhe evoluimit të saj. Sipas specialistëve, grimcat me përmasa më të vogla se 10 mikron janë më të dëmshme për shëndetin sepse ato kanë më shumë mundësi për të hyrë në pjesët e poshtme të mushkërive. Grimcat e ngurta kontribuojnë në mënyrë të dukshme në pakësimin e shikimit. Deficencat më të theksuara mund të sjellin humbje në peshë, lodhje, deficit imunitar, gjë që demonstrohet nga infeksione të përsëritura virale dhe bakteriale. Niveli i ulët i saj shoqërohet me rritje të tensionit arterial dhe rrit mundësinë e goditjes së zemrës, rrit riskun për katarakte të syve si dhe një risk i lartë për shumë tipe të kancerit si ai i prostatës, kollonën, mushkërive etj. Studimet kanë treguar se prezenca e ndotjes së ajrit ndihet edhe me ngushtime bronkiale si dhe reduktim të vetë aktivitetit të mushkërive. Po ashtu, përdorimi i tepërt i kripës shkurton jetëgjatësinë dhe rrit probabilitetin për të dëmtuar mushkëritë. Shkencëtarët amerikanë pohojnë se çdo vit mund të shpëtohen 150.000 jetë njerëzish nëse industria ushqimore do të zvogëlojë sasinë e kripës, e cila i shtohet ushqimit. Kripa ka ndikim direkt në tensionin e gjakut i cili është i lidhur me një spektër të gjerë sëmundjesh mes të cilave edhe mushkëritë.
Rekomandimet
Për këtë kontingjent të sëmurësh këshillohet pushim për disa ditë në klimë malore, për shkak të gjelbërimit, ajrit më të pastër dhe temperaturave të mjedisit, që janë më të ulëta. Këtyre personave u rekomandohet të shëtisin një orë në mëngjes herët dhe në darkë vonë. Gjithashtu, këshillohet marrja e lëngjeve për të shtuar sasinë e gjakut qarkullues, që mund të ketë pasojë uljen e tensionit arterial. Të shmangen daljet dhe qëndrimet në diell duke preferuar shëtitjet në orët e para të mëngjesit, të shoqëruara me ushtrime të lehta gjimnastikore, sidomos të kraharorit. Të ndalohet përdorimi i duhanit dhe qëndrimi në ambiente të mbyllura, ku pihet duhan. Po ashtu rekomandohet një meny e pasur me vitamina, me shumë kalori dhe që të përmbajë ushqime që treten lehtë. Këta pacientë duhet të tregohen të kujdesshëm ndaj qëndrimit nën ventilatorë, kondicioner, përdorimin e pijeve të ftohta dhe shmangien nga korrentet e ajrit.
Këshilla
-Zvogëloni sasinë e kripës në dietë
-Jetoni në një qytet që ka ndotje të ulët
-Shëtisni të paktën 1 orë në ditë në një pyll të mbushur me pemë dhe në ajër të pastër
-Mos përdorni duhan
-Mos jetoni, apo flini në një dhomë me duhanpirës
-Përdorni sa më shumë lëngje dhe supa për shpëlarjen e mushkërive
-Vraponi të paktën 10 minuta në mëngjes, në ajër të pastër
Sëmundjet e mushkërive
-Sëmundja obstruktive kronike
-Pneumonia
-Hipoksemia
-Sarkoidoza
-Sëmundja restriktive
-Sëmundjet vaskulare
-Tuberkulozi
-Tumoret e mushkërive
-Tumoret mediastinale
-Bronchiolitis akut

No comments:

Post a Comment